Sunday 18 February 2018

Faslli Haliti – poezi

Faslli Haliti – poezi



F A S L L I   H A L I T I
TABELA
Në trungun e titullit të gazetës
Ka ngulur këtë tabel
Kryeredaktori :
Në fushat e faqeve,
Në pyjet e rreshtave,
Në plepat,
Në blirët e vargjeve,
Në lëndinën e blertë të poezisë,
Ndalohet fluturimi i fëllëzës
Së dashurisë.
Ndërsa
Fushave,
Arave,
Fëllëza e dashurisë fluturon,
Askund s’ka tabelë
Që fluturimin ia ndalon.
Revista 1972 «Nëntori»
ZHURMË
Para meje në rrugë,
Kaloi motoçikleta plot zhurmë
Dhe humbi mes kamionësh në muzg.
Ca krisma skapamentosh plot gaz,
Si uturimë reaktivi
La pas.
Eh gjërat e vogla sa zhurmë bëjnë, thashë…
1963, «Drita»
FTESË NGA HOMERI
Zbrita
Në Athinë.
Përveç babazot Homerit
Unë
Nuk njihja asnjeri.
Me ta marrë vesh ardhjen time Homeri
Më ftoi për një kafe në shtëpi.
Shtëpia
E Homerit pa drita,
Errësirë.
Babazot Homeri
Porositi Helenën të ndizte qirinjtë
Dhe të na sillte një kafe të mirë.
Helena
Ndezi qirinjtë në shenjë nderimi për mua, mikun
Na solli si nuse e ndrojtur kafenë
Unë
S’e desha kafenë nga dora e Helenës,
E desha
Nga dora e Penelopës vetë,
Penelopa s’kishte kohë për mikpritje
Ajo vazhdonte të thurte, të ç’thurte pëlhurën
Qetë-qetë,
Duke pritur Odisenë.
Ç’të bëja?
Të mos e pija nga kuçka tragjike kafenë?
Pa pirë akoma kafenë Homeri
Më pyet
Për Naimin,
Për Kadarenë…
I them:
Naimi të ka përkthyer.
Pashë që i erdhi mirë.
Gropat e syve iu mbushën me dritë.
U çel në fytyrë.
I them
Përsëri:
Kadareja
Të ka quajtur Babazot.
Më përgjigjet me entuziazëm mitik:
“Bravo i qoftë!”
Pas kafesë
Bëmë një bisedë intime.
Babazot Homeri
Më foli intimisht
Për Helenën mitike
Kuptova…
Babazoti ishte dashuruar epikisht
Me kuçkën e bukur tragjike…
1995
ANULLIM PLEQËRIE
Në adoleshencë
Në rini
Dija të dashuroja vërtetë
Por s’dija të shkruaja poezi.
Isha një djalosh gjysmanalfabet.
Sot
Di të bëj poezi,
vjersha,
Por
Si gjysh
Ma ndalon dashurinë mbesa.
Megjithatë
Dije pra
(Të gjithë le ta dinë)
Se ti moj mimozë brune
Më anullove pleqërinë…
1990
MË MIRË
S’të shoh dot të mënjanuar
Si Kulla e Pizës:
Gati
Për rënie,
Për shembje,
Rrëzim.
Monument shtrembës!
Shembu, rrëzohu më mirë…!
1997, Drita
FARËHEDHËSI
Farëhehësi
Hodhi farë myshku.
Mbiva unë
Që juve ju tregoj Veriun,
Farëhedhësi
Hodhi farë shkurresh.
Mbive ti,
Strehë të dashuruarish.
Farëhedhësi
Hodhi
Farë lisi.
Mbiu ai
që përleshet
Me bubullimat,
Gjëmimet, rrufetë…!
Megjithatë
Pyllin
E bëjmë të tre !
ME T’U BËRË LIS
Lisit të Poezisë së Re X. Y Z.
Me
T’u bërë
Lis,
Qindra,
Mijëra gozhdë
Të ngulën në trung,
Tentuan të të thanin
Ti ua kalbe gozhdët ua ndryshke,
Me palcën tënde të brilltë poetike…
1997
AH, SIKUR !
Jam lisi
Më i madh,
Lisi më i lartë i fushës,
Ah sikur fusha të ishte pyll e gjitha
Dhe fijet e barit të fushës të ishin lisa…!
2010-2017
VRASJA
I shpëtova
Plumbit
Por më vrau ajo fjalë…
Dhimbja e saj po më kalb të gjallë!
1991
NATË ESENINIANE
Siç gjeja pjeprin e pjekur
Mes gjetheve
Në bostane,
Gjej sonte pjeprin e hënës
Duke hapur retë si gjethe laramane.
1970

No comments: