Sunday 10 December 2017

HISTORI E BUKUR

HISTORI E BUKUR
 FASLLI CANAJ
Flokërrodhen lypse
E morën ca flokëkrehëse nusesh
E nisën ta zbukurojnë si të ishte vërtet nuse
Në floktoret e tyre të bukura, të ngrohta.
 
Ia lanë flokët me shampot me erëmira,
Me piastra ia shtrinë si degëza shelgu 
Ia derdhën pastaj si ujvarë mbi supe
I lyen me xhelin më të shndritshëm,
Fytyra si mollë nisi t’i ndriste,
Thonjtë të verbonin sytë nga shkëlqimi 
Lyer me më të shtrenjtin manikyrë
E veshën me këmishë të bardhë të tejdukshme 
Dhe minifundi sytë të vriste.
 
Bukurezë xixëlluese, i thanë, dukesh
Shihu pak në pasqyrë.
 
I pëlqeu vetja, ngjante si zonjat që pranë i kalonin
Doli dhe nisi të ec ngadalë trotuarit.
Pas dhjetë hapash shoku lypsar i qëndroi përballë: 
“Paske ndërruar zanat, qenke bërë grua e përdalë,
As flas as njoh, sytë s’ti hedh nuk di ku të kam parë”.
 
Ajo futi gishtat dhe flokët rrodhosi
Bridhte pas tij e lutej, e lutej duke qarë
Prit pak, prit pak, vetëm pak më dëgjo
Qe thjesht një shaka, jam ajo që kam qenë
Të lutem, të lutem unë jam lypsarja jote, më beso
Sa do të qëndisem e stolisem unë jam e mbetem
E përhershme po ajo,
Ndalu miku im, ndalu, dhe mirë më shiko!
 
Qe vonë, qe vonë, loti rrokullisej tatëpjetë faqeve të çiltra
Por as dhe nje grimë nuk mundej që t’i ngroh.


                 
 
NJË GOTË  PI
 
 
Pi,...
Pi nja dy gota raki,
Që pija të të shaloj ai hip mbi zverk
Se pastaj s’di të ndalet
Përmbi supe shaluar të tund këmbët si ruspi
E ngatërron këmbët shtremba-shtremba për dreq
Trurin ne fundferr të vlojë ta hedh
Fytyrës në vend të buzëqeshjes
Ngërdheshjen i bën peshqesh
E fare se sheh a ndjen 
Që po gremisesh si kokërr rëre në funddet.
                   


 
PAS STUHISË
 
 
Vuuu..., s’reshtin shirat së rëni me stuhi
Rjepin mishin nga faqet e maleve
Dhe rrokullisjen e lumenjve nisin të baltojnë
Fushat nën frymëmbytjen llumishte rënkojnë.
 
Pikëzat e fundit të lotëve të stuhisë, 
Qiell yje xixëllimash,
Vezullojnë fener në degë pemësh,
Këputin dhimbjen një nga një
Zbresin e varen rruaza argjendi
Gushës së hollë të gjetheve të barit. 
(Dhuratë për Krishtlindje)
Buka e misërt e hënës
Pjekur nën afshin e reve
Me pikëza vese
Rrëkezave rrugën ua blaton.
                   
 
 
 
I PA GJUMË
 
Sytë i mbyll me dryn, me lloz
Matanë portës nata hesht
Hëna flutur fluturzon
Dhe tek vrima syrin ngjesh.
 
Natë e heshtur, argjend larë
Hëna kulpër, kulpëruar
Unë zgjas gishtat të ta shmpleks
Ndjej që gishtat janë ujuar.
                    
 
 
PËRNDJEKJA E NATYRËS
 
Diell, diell, diell...
Këmishën cipë qepe ma shtrydh
Pastaj të thahet ma varë në çengel.
 
Fllad, fllad, fllad...,
Uf të lodhur nuk ndiej pas tij kur vrapoj
Dhe si flutur a bukurezë në grushte mundohem ta kap.
 
Erë, erë, erë...
Prej gojës vërshëllimë kokrriza rëre
Veladon supeve ma hedh.
 
Shi, shi, shi...
Rrkezat që hullojnë xhamat e çdo stine
Janë lumenjtë e mi.
                          
 
 
S’NDREQET BOTA PËR DREQ
 
Unë
Si përherë
Rrufisja një kafe e një raki
Në një lokal ku
Dhe një i kuadër i pushteshëm,
Shumë më shumë se unë
Përditë 
Si me fuçi pi raki.
Por kjo
Ka pak a aspak rëndësi.
 
Të dy mbrëmjë për mbrëmje
Ndërshkëmbejmë shigjeta shikimesh
Sy më sy.
 
Unë
Fëmijët
Për shkak të punës gjysmëshekullore me ta
I dua, nuk ngopem së pari, 
Kam shumë respekt, ndiej dobësi,
Më lini së bashku me ta të luaj 
Dhe do të çuditeni kur mes tyre dhe dhe mua
Do të më gjeni si më të voglin fëmijë.
 
Por ah, por, por...
Kur djali i kuadrit, 
Kuadër në shtetin tim dhe tënd,
Shkelte e luante me aipadin e tij 
Diku para meje, përballë
Dhe i bërtiste të atit zëngjirur: 
Hej plako, hej plako, 
Shih plako, shih plako,
Dëgjo plako, dëgjo plako, 
Merr vesh plako, merr vesh plako
Plako, plakooo...
Dhe i atit frynte gjoksin gjel
Unë ndjeva jo vetëm besdi
Por dhe mërzi
Dhe qesh gati të bërtisja
Ndalojeni atë papagall
Ti ati plako,
Shkulja atë gjuhë hedhur rrënjët si krisjet thellë.
 
Por përvoja më tha ngadalë
S’e ndreq dot ti këtë botë
Që tatëpjetën vidhimëse ka marrë.
                   
 
 
LIDHJE PËRJETËSIE
 

TI...,
Pranverë
Që pranverove
Verën
Vjeshtën
Edhe dimrin
Dhe vetvetes
Lule vjeshte
Buqetërrallën 
Ia dhurove.
 
Ti
Që flladit
I dhe krah
Edhe ëmbël e flladit
Edhe erës
I dhe flatra
Dhe poshtë reve
E flatron
Ti që diellit
I dhe diell
Edhe ëndrrat diellëzon
Ti që hënën 
E hënon
Hedh një çap e argjendon
Ti, që qiellin
Qëndis yjesh
Nuk ka cep që s’yjezon.
 
Je mbitokë,mbiqiell, mbidiell, mbidet
Mbiplanet të thërras, quaj.
 
Druaj dhe ti të tillë më quan?!
                             
 

 
MASHTRIM VJESHTE
 

Në një degë lisi këndojnë dhjetë bilbila, 
Dhjetë bilbila.
Në pyll hedhin valle dehësish dhejtë trënadfila,
Dhjetë trëndafila.
 
Gjethet e verdha vjeshtore tundin belin fërgëllues
U shkelin syrin e gënjeshtrave
Trëndafilave e bilbilave
Pas pak shkojnë e këmbëkryqosen në prehër të lëndinave.
 
Mbeten të pakëngë dhjetë bilbilat
Dhe nuk aromojnë më trëndafilat.

No comments: