Friday 24 November 2017

Të gjithë po transferohen për atje...

Faruk Myrtaj
Të gjithë po transferohen për atje...
Tregim/parabol
Si shenjë dashurie, ajo i kërkoi një dhuratë krejt të veçantë: “Diçka që nuk i është ofruar asnjë femre tjetër në këtë vend...“
Duke e ditur natyrën e vetë dhe shpirtin e saj, ai i premtoi një burg.
Vendimi i parë i kabinetit të ri qeveritar ishte miratimi i fondeve për ndërtimin e një burgu të ri.
Edhe ajo pjesë e kryeqytetasve që çdo mbrëmje shëtiste duke lutur "lermë o Zot të rroj", shtetas të ngeshëm që ishin gati të pranonin si simbol kombëtar kërmillin e avash-avashëm në vend të shqiponjës krenare, tërë ata që u bindeshin pa kushte qeverive që pasonin njera-tjetrën, nuk e fshehën befasimin. Në njoftimin zyrtar nuk fshihej pritja e kujdesja që burgu i ri në asnjë mënyrë të mos paragjykohej, për inerci të hijeve e historive të burgjeve të mëparshëm. Sipas zëdhënësit të qeverisë, shtëpia e re pa qira do të ishte respektuese e ligjit por jo më pak e së drejtës për dinjitet qytetar. Në dinjitet, në i ndodhë të shërbej ose t’i shërbehet në këtë burg.
Megjithatë, numri i shëtitësve në "Bulevardin e Të Rënëve Pa Vetëdije", që shkonte gjer te këmbët e Pallatit të Madh të Dimrit si për tu urtuar nën dritaren e Zyrës së Njëshit të Shtetit, ku drita nuk shuhej kurrë, u rrallua. Çdonjera prej qeverive të mëparshme ishte marrë me riparimin e burgjeve, të gjitha kishin premtuar ndershmëri për të ndershmit, ndëshkim për vënien dorë mbi pasuritë publike, por asnjera prej tyre s'kishte premtuar hapje burgu. Këta po e fillonin burgun. Për “burgun e ri”, në njëjës. Askush nuk i zinte n’goje burgjet e tjerë.
Për të qetësuar masën e qytetarëve që përgjërohej për vazhdimësinë e ec-e-jak-ës në atë bulevard unikal, të nesërmen u publikua njoftimi shtesë: një e treta e fondeve për ndërtimin e burgut të ri do të vilej prej pagës së kryetarit të shtetit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, shefave të doganës në të tri pikat kufitare me të tre vendet fqinje, ministrave, zv/ministrave, drejtorëve të drejtorive dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, një listë e tërë. Ku,  si për vazhdim të kësaj çudie të gjatë, mungonte pikërisht titullari i Burgut të Ri të ardhshëm.
Pak orë më vonë u bë e ditur se të tretën e pagës do ta dhuronin edhe shefat e partive aleate të pozitës, kryetari i kontrollit të serverve të tatimeve, kryetari i sigurisë kombëtare, avokati i popullit pa kufijë, madje edhe pretendenti për ministrin e Drejtësisë me kahje të shpallur oksidentale atlantike...
Në këtë truall të bekuar, më në fund, po troket mrekullia, pëshpëritej.
Dihej si traditë e këtyre trojeve slogani, edhe ky krenar, “burgu, për burrat”, por zbutja mbase nisi vetëm kur një hovardar pushteti ndodhi të bujtte vetë në strehë të tillë. Sado në afat-shkurtër dhe pavarësisht që, në vend të ndjesës, atë e rikthyen në po atë karrike, njerëzit mbanin mend burgjet e vjetra, ku kishin mbyllur jetët e tyre thuaj tërë kryeministrat dhe ministrat e brendshëm, me përjashtim të dikujt që e mbyllën në çmendinë dhe më të mbramit fare që preferoi të mbetej burrë pa hyrë në burg duke zgjedhur vdekjen me letër amanet dërguar porositësit. Nuk mbaronin ndonjëherë historitë me burgje, por kurrë siç po flitej së fundi për “Burgun e Ri”, dhe që tërë nëpunësve të administratës publike do t’i mbahej “Taksë për Burg”.
Ishte fare legjitime që Shefat e Opozitës të kishin gjithë pretekstet për t'u shqetësuar. Secili prej radhëve të saj mund ta gjente veten në hapësirën e atij burgu. Të sapo-ngjiturit në karrike fare kollaj mund t'i mbyllnin aty rivalët e tyre, edhe pse një mendje tjetër, më e rafinuar, qetësonte:fituesit e rinj do ta përdornin burgun si reklamë dhe mjet presioni.
Dyshimet dhe qetësimet përkëmbeheshin, teksa flitej për shpenzimet e parashikuara. Mund të besoje se  fondet do të përdoreshin për herë të parë për të instaluar mjete përpunimi, hetimi dhe investigimi modern. Të tjerë e lidhnin domosdonë e këtij burgu me shtetasit në emigracion. Dihej kërkesa e ministrive të burgjeve fqinje. Edhe vetë të burgosurit emigrantë, që në krye të herës qenë nisur drejt tokave të premtuara, tashmë luteshin për t’i transferuar në burgjet e atdheut të vetë. Në mëmëdheu s'i kish mbajtur dot si prind, t'u bëhej i dhimbshur si burg.
Ditëve më pas u përfolën detaje që mbështesnin e rrëzonin këto hamendje. Zëdhënësi i ministrit të brendshëm, që përcolli optimizëm e humor (ndryshe prej seriozitetit ngjethës të homologut paraardhës), ngulmoi të qartësonte se kurrkush prej votuesve të thjeshtë s’kish pse t’i druhej ngritjes së këtij burgu. Aq më pak opozita, shtoi ai. Por nuk mori as edhe mundimin të jepte hollësi për silogjizmën elementare: nëse jo qytetarët e thjeshtë dhe as opozita, kush tjetër duhet të druhej prej hapjes së këtij burgu?!
“Tërë vlera monetare, materiale e shpirtërore, prej djersës së këtij populli, që besoi tek ne. Burgun e Ri prandaj e ngremë...Të mund të shkojnë atje të gjithë. Absolutisht të gjithë...Përballë burgut, si përballë ligjit."
E bëri turbulluese historinë rrekja e kabinetasve, të gjithë çuna të bukur e gojëtarë që, një më dy, dhe fap, përmendnin si vlerë të shtuar këmbimin e kohëvuajtjes në burg me dëmshpërblim monetar. Po përskicohej idea se në atë burg s’do shkohej aq kollaj dhe aq më pak jo kushdo: një shofer që parkonte gabim, një i ardhur rishtaz prej fshatrave të thellë- shndërruar në kryeqytetas si kompensim ndaj emigracionit masiv të kryeqytetasve - që për të rrëfyer kënaqësinë i mbante ndezur edhe ditëve dritat e oborrit, një drejtoreshë e vetme shkolle që nxori nxënësit për miting, formalisht do akuzoheshin me burg, por në fakt thjesht do gjobiteshin. Në këtë qasje të re, u paralajmëruan varfanjakët të mos shpresonin për Burgun e Ri.
Trazija u bë lemeritëse kur u mësua sasia e pazakonshme e parave dhe valutës në dispozicion për burgun e ri dhe sidomos kur u shpallë vend-trualli i zgjedhur për ngritjen e tij: pikërisht lartësia e kodrës që sundonte kryeqytetin, aty ku dikur organizonte pritjet e ballot Mbreti. Mbase si për ta bërë të pashkuar-ndërmendshëm rikthimin e tij, po e kthenin në burg, këtë kurorë qëndisur me gjelbërim, ëndërruar për shlodhje masive të djelave. Kodra ende zbriste butë-butë për nga qyteti, si të binte në gjunjë të tij në fund të “Bulevardit të të Rënëve Pa Vetëdije”.
Shëtitësit filluan ta mbanin paksa hapin, teksa arrinin aty. Ujdisnin frymë-marrjen dhe e bënë të zakonshme të vështronin shoshoqin përhumbshëm. Asnjë muhabet me burg s’është për të qeshur, vëlla. Se, një ditë të bukur, kur ti të kesh mbërritur edhe një herë në fund të Bulevardit, dikush mund të të afrohet dhe të të thotë, me zë të ulët e plotë mirësjellje: “Në emër të popullit, a mund të ngjitemi deri atje lart?! Është bukur, atje...”, duke bërë me dorë për nga Burgu i Ri.
Siç nuk pati ndodhur me asnjë premtim tjetër elektoral, themelet e burgut të ri nisën të njëtën ditë të lume me dekretimin e antarëve të kabinetit të ri. Pas kazmave të para të përurimit u vu re se nën atë gjelbërim të bekuar ishte vërtetë edhe një dhè i bukur, i dashur, që s'mbante lagështi, garanci kjo që të ndëshkuarit e ardhshëm, por edhe gardianët aty, s’do të vuanin dhimbje eshtrash, siç rëndom në burgjet e më-hershëm. Për shkak të kësaj majëkodre zgjedhur si truall, dielli do ta përkëdhelte ndërtesën e burgut prej rrezes më të hershme të agimit deri në çastet e shuarjes së vonë në mug. 
Ajo çfarë i dha edhe një shtysë habisë së fillimit ishte lënda që u përdor për ngritjen e mureve: qelq i ëmbël, i përshkueshëm nga drita, i tej-vështrueshëm nga brenda por jo edhe nga jashtë. Të burgosurit do mund t’i kundronin qytetarët e lirë, tërë kohën e dënimit, por jo qyteti ata. Thjesht që robëria relative e atyre aty brenda të kishte model lirinë absolute të atyre atje jashtë, jo e anasjellta. Më vonë, pasi muret e kaluan bojën e njeriut, u pa sa mirë ishte menduar që edhe në hapësirën brenda rrethimit të ruhej krejt-e-krejt gjelbërimi.
Mos u bëni naivë, ia behte ndonjëherë ndonjë zëth, midis kësaj pëshpërime masive-romantike. Burgu, kurrë s'është ai që duket...E çfarë pastaj se muret shfaqen të qelqta nga jashtë?! Dhe gjelbërimi, çfarë, me shatërvanët e ndriçuar?! Burgu janë qelitë, ej, mungesat që verifikohen kur të mbyllin aty brenda. Dihet se gjer vonë në mesjetë, deri në rilindjen e parë, zotërinjtë e robërit rronin në të njëjtën kështjellë. Lart bëhej qejfi, vërshonte orgjia në katet e sipërm, por atje poshtë, në bincat e qilarët e qelitë, valonte druri...
Okay, në rregull, dyshimi është liri, në të gjithë gjuhët, por a na thua dot: pse as opozita s’ndjehet?!
Gazetat e përditësuara e televizionet, të tëra të pavarura nga populli, nisën të botonin faqe speciale, opinione, që më pas komentoheshin në gazetat e televizionet e pavarura por edhe ato rivale. Ai që në krye tingëllonte si lajm që jepet një herë në njëzetë-tridhjetë vjet, për afrim komete, më në fund do vinte, por problemi ishte kur? Mezi pritej dita e përurimit, që pastaj të vijonte dita e parë, dita e ndëshkimit, e ardhjes të të burgosurit të parë. Dikush, çdokush, cilido le të ishte, prej shtetasve, vetëm të fillonte, aman...
Ngarkesë-rëndë fjala "Burg", por e shoqëruar nga cilësori "i Ri", pa u vënë në punë ende, e kishte ndryshuar jetën e kryeqytetasve. Qoftë edhe si një pikë ngjyre drite në gotën e trishtë të gjërave që harroheshin brenda tri ditëve të kujtesës kombëtare. Estradat e linket e humorit u begatuan. Erdhi siraja të shfaqej sërish natyra e vërtetë e debateve publike: vetëm se dukej, sikur tërë qyteti kërkonte ndëshkim të vesit, shkelësve të ligjit dhe të korruptuarve. Përdoreshin frazat e sallave në gjyqet e para pas Luftës “Në litar, në litar...” Pa e pranuar dot se, ditën më pas, sapo të mësohej se dikush ish arrestuar, po këta debatues të ndezur ekranesh, do të ndjeheshin keq, dhe si për të mos u ndjerë burgosës të të marrëve n’goje, pas të vjelit kërkonin fakte, fakte të qarta. Pse pikërisht ndaluat atë? Pse në këtë vend e hanë vetëm ministrat e brendshëm? Përse zgjodhët nga opozita? Pse të mos kapej dikush nga kabineti i tanishëm? Opinionistët zakonisht talleshin me organet e rendit që “mezi kishin kapur atë cironkën e vogël” prej baticës, kur peshkaqenët me bluza të bardha koncesionesh bënin kërdinë. Kishte shumë gjasa që piëkrisht ata që po lëvdonin në emfazë ngritjen e burgut të ri, të ngriheshin kundër tij pasi të niste lista me të burgosurit në të...
Në fund të revistës televizive të vonë, vijonte pasqyra e shtypit të ditës së nesërme, ku vëmendjen e parë e tërhiqte gazetë e re, edhe ajo me titullin "Burgu i Ri". Nuk ishte premtuar në fushatë elektorale, por botohej me ngjyra dhe me letër luksi. Si për të vazhduar habinë në këtë histori me burg të ri, gazeta shpërndahej kudo, falas. Mbase numri i parë i saj u thithë prej kuriozitetit, por ishte e qartë se edhe në ditët e muajt në vazhdim, tërë shtetasit kërkuan ta kishin doemos, përditshmërisht, edhe sikur botuesi të ndërronte mendje dhe në koopertinë të dukej ndonjë pullë e kuqe që të njoftonte domosdonë e vendosjes së një çmimi, qoftë edhe të kripur.
Në faqet e kësaj gazete lexuesit mësuan për burgjet më të famshëm dhe për të mbyllurit e hershëm të njerëzimit. Plasi gallatë e madhe me llojin e akuzave dhe sjelljen e të burgosurve të parë të botës, përbërjen e trupit gjykues, dëshmitarët dhe nenet ku mbështetej dënimi me muaj, vite, me burg të përjetshëm ose me vdekje. Gazeta “Burgu i Ri” vijoi me serialet e tentativave më të hershme për tu arratisur prej të burgosurve, ikjet e sukseshme dhe ato të dështuara. Dilte që secil rast ishte bërë shkak në përsosjen e rregullave e masave të sigurisë, gjersa burgjet morën trajtën moderne, të sigurisë, prej të cilës vështirë të ikje. E vështirë, por jo e pamundur: bje fjala kishte rënë gardiania në dashuri me të dënuarin dhe si provë i dhuronte çelsin e fshehtë të lirisë. Në gazetë u botua edhe letra e fundit e femrës së parë çmendur në burg, dhe të një tjetre me vdekje misterioze, shoqëruar me ndryshime të thella të rregullores së brendshme. Prej asaj kohe ishte lejuar, ndonse vetëm një herë në vit, në prill apo maj, takim privat bashkëshortor. Diku, gruaja e një të burgosuri ish lutur ta mbyllnin edhe atë, me amorin e saj atje brenda. Një gardian i shekullit katërmbëdhjetë pati rënë në dashuri me të burgosurën, prej dhimbshurisë, kur ajo kthehej e mbytur në lotë nga ora e takimit me burrin e saj të lirë.
Njohuritë e lexuesve në masë të gjerë llojet e madhësinë e burgjeve. Diku, ekzistonte ende një burg vetëm për dy të dënuar. *Bje fjala, vetëm për shefin e opozitës dhe ish-ministrin e tij të brendshëm, komentonte dikush. Pse nuk e thua për kryeministrin që është, ti? Ndërhynte tjetri apo...se po e bëni vetë burgun ju?) Edhe vend-ndodhja e burgjeve ishte aq e larmishme, sa thua nuk bëhej fjalë për burgje por për pika turistike. Burg në mes të një shkretëtire aq të pafund sa i lije të dënuarit aty dhe s’kishte nevojë fare për gardianë a shërbime të tjera, deri sa të binin pa jetë aty...Burgje ishin ngritur edhe në ishuj të pashkelur, në majëmale pa rrugë, burgje edhe nën tokë, në miniera të braktisura...
Jo më pak se rrëfimet e të burgosurve, fatet e tyre pas kryerjes së dënimeve, u bën aq familjare në kryeqytetin me Burg të Ri, sa më kureshtarëve iu tipos të rrëmonin në arësyet origjinare të vajtjemendjes së njeriut në hapjen e përdorimin e burgjeve. Ishte joshëse të merrje vesh se paskej qenë legale e drejta e të burgosurve për tu këmbyer nga të afërm të tyre, ose prej cave krejt pa lidhje me fajin. Ende nuk kish zyra pune si sot, por kryerja e dënimit të tjetrit u bë zanat. Siç ndodh rëndom me njeriun, teprimi në dënim jo më pak se teprimi në durimin e kot-pritjen e të dënuarve me jetë. Një numër i madh njerëzish e përballonin jetesën duke punuar si të burgosur, teksa të dënuar të kamur, që e kishin mundësinë të paguanin, shpalleshin dënim-shlyer dhe të virgjër edhe moralisht përballë ligjit. Ta merr mendja që s’mund të vazhdonte kështu dhe dikur ligjëvënësit e ndaluan dorëzaninë në burg. Ngaqë nuk u shmangë dot kurrë diferencimi pasuror, mori udhë praktika tjetër: shlyerja në para e fajit të bërë. Dilje nga burgu pak minuta pas hyrjes në të, nëse depozitohej shuma në fjalë. Në burg mbeteshin vetëm fatzinjtë që s'kishin me se të paguanin, ca varfanjakë që mbase vërtetë ndjeheshin më mirë brenda se jashtë tij...
Ligji ndryshohej herë pas here, por të interesuarit gjenin formë tjetër, orvajtja për të shpëtuar prej kufizimeve të ligjit nuk reshtte. Nëse bëhej e zorshme shumë apo e pamundur të gjenin hapësira boshe brenda ligjit, ata që trazonin shoqërinë njerëzore arrinin të ndryshonin interpretimet: dicka që dikur ishte mëkat dhe ndëshkohej si faj, pak dekada më pas konsiderohej virtyt. Gjahtari fshihej në përgjim, por edhe gjahu papushim i vidhej syrit dhe shqekëzës së atij. Lepujt nuk kanë qenë gjithnjë kaq të shpejtë dhe as dhelprat kaq dinake. Nuk adresohej koha, as vendi, por përshkruheshin skena të idhta me ish-ministra a shefa policie dënuar për korrupsion ose krime, mbyllur në burg me të dënuar prej tyre. Shekuj dikur, kur u ndje se as burgimet afatgjatë nuk ishin më të frytshme, tentuan ta vendosnin drejtësinë përmes ndëshkimeve fizike: prerja e një apo disa gishtërinjve për vjedhjet, prerja e llapave të veshëve për mos-dëshmi apo e gjuhës për dëshmi të rreme...
Gazeta “Burgu i Ri” botoi dokumente për ekzistencën dikur të një dënimi të veçantë: për abuzim me paranë e popullit, nëpunësve të shtetit u damkosej në ballë vula e shtetit, stema e mbretërisë apo e republikës, blangë që u mbetej aty tërë jetën. Edhe vdekur. Nuk u lejohej të vendosej ndonjë mbulesë për ballin e të ndjerit. Diku diku ishte përdorur shëtitja e detyruar, duarlidhur e kryeulur e ndonjë nëpunësi ligjshkelës, nëpër rrugët më të populluara të qyteteve të mëdhenj apo të kryeqyteteve. Turma e njerëzve shoqëronte me gaz e brohori nëpunësin e dënuar, si ariun në fshat ditëve të pazarit të madh, duke kënduar himnin kombëtar. Vendimi zbatohej teksa dikush lexonte nenet e kodit moral direkt në fletoren zyrtare. Edhe më interesante qè praktika ndëshkuese diku tjetër: goditja me shtizë flamuri e nëpunësit zënë në faj publik. Dënimi me vdekje kishte hyrë dhe ish hequr disa herë, gjer ditën që me dënimin me varje ishte hequr edhe ai me vdekje. Përderisa jetën na i jep Zoti, vetëm ai ka të drejtën të na e marrë, shkruhej në gazetën Burgu i Ri. Vdekja u rikthye, kur u ngjitën në pushtet ata që s’donin t’ja dinin për Zotin, por haka ra shpejt mbi kokë të tyre: nisën të vrisnin njeri tjetrin. Më keq akoma, e varrosnin dhe zhvarrosnin njeri tjetrin disa herë...
Të prekur nga historia e burgut dhe burgimeve, duke u ndjerë tashmë jo veç kureshtarë, edhe më sensibël për human rights (janë njerëz, në fund të fundit, pëshpërisnin gjatë shëtitjeve në Bulevard dhe në studiot e ndezura të opinioneve), kryeqytetasit u ndjenë edhe më të respektuar kur u bë e ditur se qenë propozuar lehtësira të shumta për ata që do të kishin fat të gjendeshin në atë burg. Do gëzonin jetë sa më normale, gati gati si në familjet e tyre dhe në gjirin e shoqërisë. Dikur, diku, në një shtet që i ishte harruar edhe emri, ose s’e zinin fare n’goje mu për këtë, nen i parë i Ligjës paskej  qenë ai në bazë të të cilit nuk lejohej dënimi, as përfolja, e sundimtarëve të epërm, pavarësisht fajit të supozuar të tyre. Si ndjesë për ato kohë, u kthye në ligj e drejta për padi penale nëse nuk funksiononte telefoni on line kundër abuzimeve e shpërdorimeve...
Lajmi se në Burgun e Ri muret, dyshemeja, tavanet e qelive po visheshin me shtresa materialesh që pengonin të ftohtit në dimër dhe të nxehtit në verë, s’mund të konsiderohej qartësisht human. Aq më shumë kur u bë e ditur se në mjediset e përbashkëta, deri edhe në intimitetin më të thellë të qelive, kishte aparate televizive, librari, radio, dushe, shatrivanë, pishina. Sipas një program-kalendari miratuar në mbledhje të qeverisë, ende të pashpallur në fletoren zyrtare, ministrat do kishin takime me të burgosurit në një sallë të posaçme, brenda tij.
Ta merr mendja, ishin kohë të tjera. Vendi qe hapur, edhe burgjet do hapeshin, si hapësira të mbyllura. Fonde të tjera programesh e projektesh, kryesisht nga shuma e akorduar për integrimin me botën, por edhe milionat prej shndërrimit në Komedi të Teatrit të Dramës Kombëtare, u livruan për përfundimin sa më të shpejt të Burgut të Ri.
Në pikun e epërm të fushatës elektorale, nga të dy palët në rivalitet për qeverisje, u miratua diçka që shkaktoi pothuaj mallëngjim kolektiv: e drejta e qëndrimit atje brenda, edhe e familjeve të të burgosurve. Pozita e opozita, nën sugjerimin e emisarëve të huaj për harmoni peshkërore në të nëjtin det, ose për zero probleme me fqinjët, dhuruan me urgjencë tepricat dhe superfitimet, sekush sugjeroi përdorjen e parave ende të pa-emetuara të Bankës, madje edhe të përfituarat nga mosdjegja e drogës, ruajtja në qendrat e zjarrit, për tu aplikuar si mjekësi popullore në rast lufte, të gjitha kontribute për shpejtimin e punimeve të Burgut të Ri...
Në orët e fundit të natës, teksa publikoheshin të dhënat e para të zgjedhjeve të humbura nga një palë dhe thjesht si rrjedhojë të fituara nga pala tjetër, u bë e ditur se tërë kabineti qeveritar, nën moderimin e koncensionierëve të radhës të doganave dhe drejtorëve të mediave që botuan reklamat, nisi zhvendosjen për në Burgun e Ri.
"Të gjithë po transferohen për atje..."
Me këtë nën titull, dotë dilte numri i së nesërmes, që do të ishte edhe i fundit i gazetës “Burgu i Ri”.
Por kishte fare pak dhimbje. Si ikja pas një lëngate të zgjatur përtej durimit. Madje dukej sikur gjërat ndodhën ca si gëzueshëm, për të gjithë, në një harmoni aq ngjethëse, sa qytetarët ende s’e besonin atë që, se kush, e kish thënë qysh në krye: Këta edhe burgun po e bëjnë për veten..

No comments: